ANKARA, 10 tetor /ATSH-AA/ – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se pandemia e COVID-19 që u kushtoi me jetë mbi një milion njerëzve është një ndër krizat më të mëdha të shekullit të fundit.
Presidenti Erdogan këto vlerësime i bëri në sesion hapës të Forumit Ekonomik dhe të Biznesit Turqi-Afrikë, në të cilën mori pjesë nëpërmjet video-konference.
Duke folur mbi pandeminë dhe efektet e saj, ai tha se COVID-19 është një ndër krizat më të mëdha të shekullit të fundit.
“Në periudhën kur vendet e zhvilluara perëndimore kanë hyrë në luftëra maskash, popujt e Afrikës fatkeqësisht janë lënë në fatin e tyre kundër pandemisë”, theksoi Erdogan.
Ai tregoi se vendi i tij gjatë kësaj periudhe i është përgjigjur pozitivisht thirrjes për mbështetje të 154 vendeve të ndryshme dhe 8 organizatave ndërkombëtare.
“Ndjejmë keqardhje të madhe që deri më sot nga kjo sëmundje janë prekur rreth 1.5 milion prej miqve tanë afrikanë”, u shpreh ai. /os/
